Koalicioni për arsimin e fëmijëve takon organizatat e shoqërisë civile në Shkodër

Tiranë, 17 Qershor – Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri (ACCE)organizoi gjatë ditës së sotme një takim informues me organizatat e shoqërisë civile në Shkodër. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të nismës së ndërmarrë nga ACCE për zgjerimin e anëtarësimit të Koalicionit me organizata që punojnë në nivel lokal në të gjithë Shqipërinë.

Organizatat pjesmarrëse në takim ushtrojnë aktivitetin e tyre në Qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Fokus i punës së tyre janë mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, ndihma në arsim dhe formim profesional për vajzat, mbështetje psikologjike për fëmijët e ngujuar dhe familjet e tyre për shkak të gjakmarrjes si dhe ndihmë për fëmijët e shtresave në nevojë.

Takimi i organizuar në bashkëpunim me Qendrën e Këshillimit dhe Shërbimeve Psikologjike, pati në qendër të vëmendjes forcimin organizatave të shoqërisë civile dhe nxitjen e tyre që të bëhen pjesë aktive e reformave në arsim. Të pranishmit ndanë shqetësimin që arsimi në zonat ku ata punojnë karakterizohet nga mungesa të theksuara të infrastukturës në shkolla, fenomeni i gjakmarrjes, mentaliteti i zonave të thella malore si dhe kushtet e vështira ekonomike ju privojnë fëmijëve të drejtën për arsim.

Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri është rrjet jo-formal i organizatave të shoqërisë civile themluar në 2004 me qëllim kryesor avokimin për të garantuar të drejtën universale të fëmijëve për arsim dhe objektiva kryesorë krijimin e një sistemi arsimor që respekton të drejtat e fëmijëve, është përgjegjës për respektimin e tyre dhe që garanton një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri mirëpret çdo organizatë që dëshiron të japë kontributin e saj në garantimin e të drejtës universale të çdo fëmije për arsim cilësor dhe gjtihëpërfshirës anembanë Shqipërisë.

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us