Shqipëri: Kuvendi të krijojë urgjentisht Zyrën e Avokatit të Studentëve!

Korrupsioni, ngacmimet seksuale, ankesat financiare dhe akademike të studentëve, cilësia në arsim, duhet të trajtohen nga një institucion i pavaruar për mbikqyrjen e universiteteve publike

Tiranë, 21 Dhjetor 2018 – Të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri përbëjnë 25% të popullsisë, ndërsa rreth 129,394 prej tyre janë studentë të regjistruar në Universitetet publike, por asnjë prej tyre nuk ka ku të ankohet kur iu shkelen të drejtat si universitarë! Protesta e studentëve, e cila sot hyri në ditën e saj të 16-të ka denoncuar me qindra raste të shfrytëzimit dhe ngancimit seksual të studentëve nga pedagogët e tyre, të korrupsionit në vlerësimin e studentëve dhe shpërdorimit të fondeve publike. Nga ana tjetër, Universitetet Publike, 28 vjet pas shembjes së komunizmit, nuk kanë ngritur asnjë mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave të studentëve.

Nisur nga kjo situatë e rëndë dhe e pashpresë e Universiteteve Publike, Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE), Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) dhe CRCA Shqipëri, i kërkojnë sot publikisht Kuvendit të Shqipërisë ngritjen me procedurë të përshpejtuar të zyrës së Avokatit të Studentit, të modeluar sipas zyrës së Avokatit të Popullit apo të komisionerëve të pavarur të të drejtave të njeriut.

Në anketën më të fundit të Eurostat të quajtur “Cilësia e Jetës”, Shqipëria renditet në vendet me nivelin më të lartë të pakënaqësisë për arsimin. Sipas sondazhit më të fundit të GALLUP, rreth 79% e të rinjve, kërkojnë të largohen nga vendi.

Niveli shqetësues i korrupsionit në universitete, ngacmimet dhe dhuna seksuale, diskriminimi gjinor, shqetësimet financiare të studentëve, çështjet akademike, disiplinore, administrative, kushtet e banimit të studentëve, sjellja profesionale e pedagogëve dhe e drejtuesve në universitete, do të ishin disa nga fushat kryesore të mbrojtjes dhe veprimtarisë që duhet të përfshijë kjo zyrë.

Avokati i  Studentit duhet të jetë një insitucion i pavaruar nga strukturat administrative, gjë që do të lejonte shqyrtimin e paanshëm dhe objektiv të çështjeve. Avokati i Studentëve do të siguronte hapësira ​​të sigurta dhe konfidenciale për të zgjidhur konfliktet, problemet dhe shqetësimet që u lindin atyre gjatë jetës universitare.

Në emër të organizatave:

 

Linda PINO                              Ervjola OSMANAJ                                           Altin HAZIZAJ

ACE Shqipëri                           Rrjeti Kombëtar i të Rinjve                            CRCA Shqipëri

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us