Shqipëria e fundit në rajon në investime për arsimimin e fëmijëve!

Koalicioni për Arsimimin e Fëmijëve publikon Raportin Vlerësues mbi Situatën e Arsimit Parauniversitar në Shqipëri.

Tiranë, 9 Korrik 2013 – Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri - ACCE publikoi sot “Raportin Vleresues mbi Situatën e Arsimit Parauniversitar në Shqipëri”, i cili u përgatit nga Prof. Dr. Mimoza Gjokutaj në bashkëpunim me CRCA - Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri. Ky raport fokusohet në analizimin e situatës së arsimit parauniversitar në Shqipëri, reformat që kanë përshkruar kurrikulën, gjetje, të dhëna, analiza krahasuese mbi pjesëmarrjen në sistemin arsimor parauniversitar si dhe programet buxhetore dedikuar arsimit.

Raporti vendos në fokus mësimdhënien, cilësinë e saj si dhe reformat përmbajtësore që ka pësuar arsimi në vendin tonë gjatë viteve të fundit. Ai analizon çështje të tilla si: zhvillimi profesional i mësuesit, kompetencat dhe modelet e trajnimit për mësuesit, licensimi i tyre, kualifikimi i vazhdueshëm, teknologjia dhe burimet e tjera te mësimdhëniës si dhe informatizimin e shkollave. Raporti na jep të dhëna krahasuese në kohë për rezultatet dhe arritjet e nxënësve dhe analizon metodat vleresuese dhe monitoruese të rezultateve të nxënësve. Në fokus të raportit janë edhe çështje si braktisja e shkollës, cilësia e ulët e arsimit, gjendja e edukimit të fëmijëve rom, shtresat vunerabël, çështje të edukimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, respektimi i të drejtave të fëmijëve, etj.

Mbështetur në analizën e situatës së arsimit parauniversitar, mund të thuhet se ndërkohë që në vendet e rajonit dhe të Bashkimit Europian ndihet një rritje e numrit të nxënësve të moshës shkollore, në Shqipëri statistikat tregojnë se:

  • Niveli i regjistrimit në shkollat fillore është në nivelin 95%-96%;
  • Niveli i frekuentimit tek parashkollorët kap 50%-54%;
  • Fëmijet që kanë arritur në klasën e 5-të janë në nivelin 90%;
  • -  Regjistrimi në shkollat e mesme arrin 73%-75%;

Sa më sipër, Koalicioni për Arsimimin e Fëmijëve në Shqipëri përfiton nga rasti i publikimit të këtij raporti vlerësues për t’iu drejtuar Qeverisë së re dhe Ministrisë së Arsimit në veçanti, duke i kërkuar sa më poshtë:

  1. Rritja e buxhetit të arsimit dhe investimeve në arsim në kuotën e 6%, ku të ofrohet arsim cilësor bashkëkohor për të gjithë fëmijët pa diskriminim;
  2. Çdo fëmijë në parashkollor: Rritja e fëmijëve me edukatorë dhe mësues për të favorizuar një rritje sa më të arsimuar dhe të shëndetshme është një e drejtë që nuk duhet t’i mohohet asnjë fëmije në Shqipëri;
  3. Ulja e nivelit të braktisjes së shkollës: Përmirësimi i nivelit të jetesës për familjet e varfra të cilat janë të destinuara të pësojnë goditjet më të mëdha duke mos përballuar kostot e fshehta dhe ato shumë të larta të shkollimit, që fëmijët e këtyre familjeve të mos braktisin shkollën;
  4. Programe dhe mbështetje për fëmijët në situata vulnerabël: Rritja e shpenzimeve dhe buxhetimit në kuadër të reformës shkollore duke marrë për bazë problemet e fëmijëve që vijnë nga situata familjare që mund të jenë faktor dizavantazhi.

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us