Parlamenti Rinor Tiranë

Parlamenti Rinor Tiranë, është një rrjet i nxënësve përfaqësues të 18 shkollave të mesme të kryeqytetit dhe krijimi i tij daton në maj të vitit 2018. Rreth 100 të rinj e të reja të moshës 14-17 vjeç, të mbledhur në këtë strukturë besojnë se forcimi i të rinjve në proceset e vendimarrjes, debatit publik dhe lidershipit, është përbërës kryesor dhe i domosdoshëm në demokraci.

Në Tiranë janë gjithsejt 18 gjimnaze dhe shkolla profesionale, dhe ndjekin shkollën e mesme publike rreth 18.000 nxënës. Janë këta të rinj adoleshentë që pothuaj çdo ditë përballen me problematika të ndryshme dhe kërkojnë edhe zgjidhjen e tyre. Iniciativa e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe të Rinjve (CRCA), Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE) bëri që pas shumë konsultimesh dhe takimesh informuese me gjimnazistët, të ideohej ngritja e një strukture të tillë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit. Çdo gjimnaz përmes një procesi tërësisht demokratik zgjodhi prej vetes një përfaqësi prej 5 nxënësish, të cilët janë edhe bërthama e Parlamentit Rinor Tiranë. Prej tyre numërohen rreth 39 djem dhe 61 vajza, të cilët shërbejnë si një strukturë për fuqizimin e të rinjve.

Përfaqësuesit e gjimnazistëve të Tiranës, ngrenë zërin mbi fenomene që të gjithë nxënësit i hasin çdo ditë në jetën shkollore. Bulizmi, diskriminimi, dhuna në shkolla e ambiente të tjera, varfëria ekonomike por edhe dasitë shoqërore. Këta të rinj, duke u bazuar në parimin bazë të demokracisë, përfaqësojnë edhe një shans për të çuar përpara kauzën ë të rinjve, një çështje kjo që shpesh anashkalohet nga qeveritë.

 Parlamenti Rinor Tiranë, në qershor 2018, arriti krijimin e një Akti Themelimi të tyre, në Qershor 2018. Ky akt, i firmosur nga të gjithë pjesëtarët e PRT, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe të Rinjve (CRCA)  formalizoi këtë rrjet. PRT  vjen për të përmirësuar pjesëmarrjen e të rinjve në debatin public dhe në proçeset demokratike për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, si në nivel lokal, ashtu edhe kombëtar. 

Ndërsa në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, më 12 Tetor 2018, vajzat e Parlamentit Rinor Tiranë, ishin pjesë e një prej eventeve më të mëdha të organizauara në Shqipëri për to,  Samiti i 1 i  Vajzave. Ky Samit me pjesëmarrjen e 25 vajzave të reja, dhe 15 Ambasadoreve pjesë e politikës dhe shoqërisë civile, akademisë dhe medias, që për një vit radhazi janë edhe mentoret e tyre,  erdhi në kuadër të Fushatës Globale #Girl2Leader.

25 vajzat e Samitit nën procesin e mentorimit nga ambasadoret e tyre, po marrin eksperiencë jo vetëm për punën e tyre, por edhe për të fuqizuar kapacitetet duke u kthyer në një pjesë kyçe në vendimarrje, një fuqi në komunitet dhe një shembull i politikës së mirë në shoqëri. Një informacion të plotë mund ta shini në faqen https://www.crca.al/sq/vepro-per-femijet-news/shqiperia-organizon-samitin-e-1-re-te-vajzave-dhe-fushaten-girl2leader.

Vetë të rinjtë, një muaj më vonë, në nëntor të 2018, përcollën edhe kërkesën e shumë nxënësve shqiptarë për të drejtën e votës në moshën 16 vjeç.  

Argumentet e gjimnazistëve se ulja e moshës së votimit është një mjet për të forcuar demokracinë,si edhe e drejta e çdo adoleshenti për të shprehur mendimin e ti për të ardhmen, bëri që CRCA ti drejtohet edhe Parlamentit të Shqipërisë me këtë nisëm të Parlamentit Rinor Tiranë. Në Shqipëri janë gjithsej 214 mijë të rinj e të reja të moshës 15-19 vjeç, një pjesë e të cilëve  kërkojnë të ulin moshën e votimit nga 18 në 16 vjeç. Për udhëzime apo edhe informacione më të shumta, për këtë iniciativë të PRT, mund të shihni faqen https://www.crca.al/sq/voto-per-16.

Parlamenti Rinor Tiranë është strukturuar në bazë të modelit të Parlamentit Shqiptar dhe ka 8 komisionet e tij.

Këto komisione përfshijnë fushat e arsimit, politikave rinore dhe te drejtave, shëndetit, dhunës dhe diskriminimit, medias dhe sigurisë në internet, inovacionit, të drejtave të fëmijëve dhe çështjeve kulturore, sociale dhe artistike.

Parlamenti Rinor Tiranë krijon një mjedis ku fëmijët dhe të rinjtë mund të shprehin lirisht pikëpamjet e tyre, informohen, informojnë të tjerët dhe vendosin së bashku me të rriturit për atë që është më e mira për ta. Pjesëmarrja gjithëpërfshirëse e  fëmijëve dhe të rinjve në Parlamentin Rinor Tiranë ka një rëndësi të madhe për demokracinë.

Për më shumë informacion, ndiqni info@crca.al

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us