INFORMACION PER ARSIMIMIN E FEMIJEVE NE SHQIPERI

Kush: KOALICIONI PER ARSIMIMIN E FEMIJEVE NE SHQIPERI                   

Çfarë: Konferencë shtypi me rastin e Fushatës Globale për Arsimin

Për të siguruar plotësimin e së drejtës për arsim për çdo fëmijë, si pjesë themelore e të drejtave të njeriut, data 23-29 Prill 2007 shënon fillimin e Javës Globale ”Arsim për Të Gjithë” nën moton mbarëbotërore “Arsimimi dhe te drejtat e njeriut”.

Në Shqipëri,motoja e Javës së Veprimit të Fushatës do të jetë “Shkolla miqësore për çdo fëmijë”.

Arsimimi është e drejta e çdo fëmije, përmes të cilit çdo individ në shoqëri ka mundësi të zhvillohet plotësisht dhe të dalë nga varfëria. Për këtë qëllim organizatat joqeveritare: Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri / Defence for Children International (CRCA/DCI), UNICEF, Qendra e Informacionit dhe Kërkimeve për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (IRCCRA), World Vision, Save the Children, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Aleanca për Fëmijet në Shqipëri, SOS - Fshatrat e Fëmijëve, Qendra e Trajnimit dhe e Kualifikimit të Arsimit, Federata e Sindikatave të Arsimit të Shqipërisë, Sindikata e Arsimit të Shqipërisë, MEDPAK dhe Fondacion Fryma e Dashurisë “Diagonia Agapes”, kanë bashkuar forcat e tyre për t’u kujtuar e bërë thirrje Kuvendit, Qeverisë dhe Presidentit të Republikës, si dhe të gjithe politikanëve, që të bëjnë më shumë për respektimin e të drejtës për një arsimim cilësor të fëmijëve në Shqipëri; krijimin e shkollave më miqësore.

Kur: 11:00, e Shtune, 21 Prill 2007

Ku: Hotel Tirana Internacional, Salla “ONUFRI”.

Pse:

Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara në Shtator të vitit 2000 aprovoi Objektivat e Mijëvjeçarit mbi Arsimin Për Të Gjithë me synim përmbushjen e këtyre objektivave deri në vitin 2015. Në të morrën pjesë 191 kryetarë shtetesh dhe qeverish, përfshirë edhe Republikën e Shqipërisë.

Objektivi 2 i Mijëvjeçarit  me fokus Arsimin synon: Arritja e një arsimi cilësor bazë për çdo fëmijë deri në vitin 2015.

Viti 2007 përfaqëson mesin e periudhës së zotimeve mbarëbotërore të 191 qeverive. Por, pavarësisht nga premtimet, progresi ka qënë shumë i ngadaltë dhe ai aktualisht është larg zotimeve të marra.

Në Shqipëri,ndonëse gjatë vitit 2007 buxheti i arsimit është rritur në krahasim me 2 vitet e shkuara (MASH: 3,25 përqind e PPB-së; vëndet e rajonit e kanë rreth 5-6 përqind), përsëri vihet re se fondet e dhëna nga Qeveria, megjithë përpjekjet e saj, ende nuk janë kanalizuar si duhet drejt kthimit në shkollë dhe edukimit cilësor të fëmijëve:

  • që punojnë dhe që lypin,
  • që kanë braktisur shkollën,
  • që janë të izoluar për shkak të gjakmarrjes,
  • që janë me aftësi të kufizuar dhe vështirësi në të nxënë;
  • vajza,
  • fëmijët Rromë dhe Egjyptianë,
  • fëmijët që jetojnë me HIV/AIDS,

Fakte për Shqipërinë:

  • Sipas një studimi të UNICEF-it (MICS 2005), shkollën e ndjekin 91.2 % e fëmijëve të moshës 6-9 vjeçare.
  • Sipas Strategjisë Rajonale të Qarkut të Kukesit (2007-2015), në Qarkun e Kukësit, 1/4 e shkollave nuk kanë banja. Sipas rretheve, përqindja e shkollave pa banja është: Kukësi 16%, Hasi 42%, kurse Tropoja 33%. Ndër ato shkolla që kanë banja, afro 1/3 e tyre nuk i kanë të ndara të vajzave nga të djemve. Afro 46% e shkollave nuk kanë ujë të pijshëm. Në Kukës dhe Has më shumë se gjysma e shkollave janë pa ujë të pijshëm.

Braktisja e shkolles:

  • Sipas MASH-it, 0.9% e rreth 467,000 fëmijëve të arsimit bazë, braktisin shkollën (pra rreth 4,500 fëmijë), pa llogaritur këtu ata fëmijë që sistemi nuk është në gjendje t’i regjistrojë.
  • Disa komuna në rrethin e Kukësit shkojnë në shifra tejet të larta, si në Arrën me 17%, Kalis me 12% dhe Topojë me 11%. Braktisja më e madhe ndodh në fshatra.
  • Sipas fëmijëve, një nga arsyet e braktisjes është sepse shkolla nuk është tërheqëse për ta (Braktisja e Fshehtë, mbështetur nga UNICEF, 2002). Këta nxënës kanë rezultate shumë të ulëta mësimore; 1/3 e tyre janë përsëritës.
  • Sipas studimit të mësipërm, përqindja e notave të ulëta (4-5) në tre muajt e parë të vitit shkollor është 50%. Në fund të vitit shkollor pothuajse të gjithë e kalojnë klasën. Nxënësit e “pesave” dinë më pak nga sa janë në gjendje të dinë. Pra, shkolla nuk u jep mundësi që potenciali i tyre të zhvillohet plotësisht.

Kohët e fundit qeveria po bën përpjekje serioze për orientimin e politikave arsimore me në fokus nxënësin, por është e nevojshme që ritmet e reformës të përshpejtohen që të arrihen objektivat. Megjithë përpjekjet e vazhdueshme të saj, sistemi ynë arsimor është ende aktualisht i orientuar nga mjetet, jo nga qëllimi.

Në veçanti, Koalicioni tërheq vëmëndjen dhe u kujton vendim-marrësve detyrimet e Qeverisë në kuadrin e Reformës Arsimore, Arsimit Cilësor Për Të Gjithë dhe Objektivit 2 të Mijëvjeçarit për të siguruar plotësimin e së drejtës themelore të Çdo Fëmije për Arsim Cilësor.

Fushata Globale Për Arsimin është një lëvizje mbarëbotërore me synimin që t’i jepet fund krizës në arsim. Misioni i FGA-së është që qeveritë të veprojnë tani për të realizuar të drejtën e çdo vajze, djali, gruaje ose burri për një arsim cilësor. Anëtarët e koalicionit mbarëbotëror përfshijnë rreth 120 shtete, që nga viti 1999.

Fakte globale për Arsimin

Pse arsimi?

.. sepse është një e drejtë njerëzore. Të drejtat njerëzore janë të qenësishme. Çdonjëri prej nesh lind së bashku me to dhe ato nuk mund t’i jepen ose t’i merren askujt. Të drejtat përcaktojnë standarde bazë pa të cilat njerëzit nuk mund të jetojnë me dinjitet.

E drejta për arsimim si një e drejtë themelore njerëzore – u është premtuar të gjithëve në botë ndër gjenerata. Ajo është pjesë përbërëse e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut që në vitin 1948.

Të drejta të tjera përfshijnë: të drejtën për strehë, ushqim dhe siguri. Arsimi është themelor për të luftuar varfërinë, për të përmirësuar shëndetin, për të penguar përhapjen e sëmundjeve të rënda si AIDS-i, etj. Ai i aftëson njerëzit që të luajnë një rol aktiv në komunitetet ku jetojnë.

  • Arsimimi fuqizon: Një vit i vetëm arsimor i rrit të ardhurat e grave me rreth 10-20%.
  • Arsimimi shpëton jetë:7 million raste të AIDS-it mund të parandalohen në dekadën që vjen, nëse çdo fëmijë do të arsimohet
  • Arsimimi ndërton të ardhmen: Një fëmijë i një nëne të arsimuar ka shanse të mbijetojë pasi ka kaluar moshën 5 vjeçare.

Sot 1 në 5 njerësve në botë iu është mohuar e drejta për arsimim. 80 milion fëmijë – pjesa më e madhe vajza - dhe 800 milion të rritur – pjesa më e madhe gra – janë analfabetë dhe kanë humbur shansin për arsimimin e tyre.

Çfarë nevojitet për të realizuar objektivat?

  • Bota ka nevojë për rreth 12 miliard USD/vit për të siguruar që çdo vajzë e djalë të mbarojë shkollën si dhe që të gjithë të rriturrit analfabetë të dine të shkruajnë e të lexojnë…
  • Shifra është sa 1% e buxhetit global mbarëbotëror që shpenzohet nga buxheti për qëllime ushtarake..
  • Shifra është më e vogël nga sa shpenzon bota për patatina...

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us