Deklaratë - Arsim cilësor për të ardhmen e fëmijëve

Tiranë, 4 nëntor 2014 – Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri, nëpërmjet kësaj deklarate kërkon të bëjë publik qëndrimin e tij mbi reformën e propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit “Mësues për Shqipërinë. Kapitull i ri për Reformën në Arsim”.

Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në vitin 2013 publikoi “Raportin Vlerësues mbi Situatën e Arsimit Parauniversitar në Shqipëri” ku përpos analizës së thellë që i bën sistemit arsimor, theks të veçantë i vendos rritjes së cilësisë së mësimdhënies, pjesëmarrjes në sistemin arsimor parauniversitar si dhe buxhetit dedikuar arsimit.

Për shkak të cilësisë së arsimit dhe investimeve të ulta Shqipëria sot renditet ndër vendet e fundit në rajon për performancën dhe nivelin e arritjeve të nxënësve si dhe për buxhetin e alokuar për arsimin. Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri beson se përmirësimi i programeve mësimore, krijimi i klasave me kushte optimale dhe stafit akademik me kualifikimin e duhur, janë kërkesat thelbësore për të arritur një sistem arsimor cilësor dhe bashkëkohor.

Për të bërë të mundur që “Kapitulli i ri për Reformën në Arsim” të jetë sa më suksesshëm dhe për të siguruar që çdo nxënësi t’i ofrohet arsim cilësor me mësues të kualifikuar, Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri i rekomandon Qeverisw shqiptare sa më poshtë:

  • Të rritet buxheti për arsimin parauniversitar në jo më pak se 5% e PBB, duke filluar nga viti 2015, për të siguruar arsim publik falas dhe cilësor
  • Bërjen publike të buxhetit të planifikuar për arsimin publik parauniversitar për vitin 2015
  • Ngritjen e “Grupit Kombëtar për Mbështetjen e Arsimit” me qëllim kryesor mbështetjen e sistemit arsimor, permes koordinimit efektiv të asistencës së jashtme dhe ekspertëve të arsimit, për krijimin e dialogut dhe politikave arsimore bashkëkohore për fëmijët dhe të rinjtë
  • Sa më shpejt që të jetë e mundur Ministria e Arsimit duhet të organizojë një forum të hapur kombëtar mbi reformat që do të ndërmerren në fushën e arsimit në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, sindikatat e arsimit si dhe publikun e gjerë
  • Pjesë e vlerësimit të mësuesve të bëhet edhe vlerësimi i sjelljes së tyre ndaj nxënësve, për të siguruar që asnjë mësues i dyshuar apo akuzuar për ngacmim seksual apo ushtrim dhune ndaj nxënësve të mos ushtrojë profesionin e mësuesit në Shqipëri.

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us