ACE kërkon në Kuvend, ushqim dhe tekste falas për çdo fëmijë në arsimin parauniversitar publik

Tiranë, 19 Nëntor 2018 - Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE) mori pjesë në seancën dëgjimore të Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve te Informimit Publik për projektligjin “Për Buxhetin e Arsimit 2019”.

Koalicioni për Arsimin në Shqipëri solli ne vëmendjen e deputetëve të pranishëm në Komision nivelin e ulët të buxhetit për arsimin parauniversitar, duke e renditur Shqipërinë si një ndër vendet e ulëta për investimin në arsim e krahasuar kjo me vendet vendet e OECD. Pavarësisht se vendi ka pasur një zhvillim dhe rritje ekonomike të qwndrueshme, kjo rritje nuk ka prekur buxhetin për arsimin parauniversitar publik.

Për këtë vit buxheti i shtetit për arsimin, mundi të ofrojë tekste për përdorim falas vetëm për fëmijët e klasave 1-4 në sistemin arsimor publik, por mbi 300.000 fëmijë u detyruan të paguajnë për të siguruar tekstet mësimore.

Sipas Bankës Botërore, thuajse 14 përqind e popullsisë në vend vijon të jetojë në varfëri absolute, thuajse 47 përqind e popullsisë jeton në varfëri relative, krahasuar me 22 përqind që është në vendet e rajonit.

Në Shqipëri, 20.14 % e fëmijëve në moshë shkollore jetojnë në varfëri duke u përballur me vështirësi në sigurimin e nevojave bazë të jetesës dhe vetëm 44% e fëmijëve të arsimit parauniversitar arrijnë të konsumojnë vaktin ushqimor të mëngjesit vetwm në pesë ditët e javës.

Në këtë seancë dëgjimore përfaqësuesit e Koalicionit për Arsimin  në Shqipëri sollën në vëmendjen e të pranishmëve dhe mungesën e buxhetit për financimin e nismës “ Shkolla Qendër Komunitare” si edhe pamjaftueshmërinë e financimit të trainimeve të mësuesve dhe punonjësve psiko-sociale.

ACE i kërkoi anëtarëve të Komisionit të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik:

Rritjen e buxhetit për arsimin për të mundësuar:

  • sigurimin e teksteve falas sespe asnjë fëmijë nuk duhet të paguajë për dijen.
  • Sigurimin e një vakti ushqim falas për fëmijët që jetojnë në varfëri absolute;
  • Buxhetimin e nismës Shkollat  si Qendër Komunitare;
  • Riorganizimin e të gjithë sistemit të mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna në shkollë;
  • Financimin e  trajnimit të mësuesve për çështje kryesore te legjislacionit të lidhura me të drejtat e njeriut, sidomos me të drejtat e fëmijëve; mbrojtjen nga diskriminimi dhe legjislacionin për fëmijët ne Shqipëri.

Për më tepër informacion kontaktoni me Linda Pino, Koordinatore Kombëtare, email: linda.pino@crca.al

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us