Shoqëria civile dhe ministria e arsimit dhe sportit diskutojnë për arsimin e fëmijëve Rom

Tiranë, 24 Mars - U përmbyll sot me sukses Konferenca Kombëtare mbi Arsimin e Fëmijëve Rom “Nga Sfidat drejt Mundësive”, organizuar nga Koalicioni per Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri, Ministria e Arsimit dhe Sportit, UNICEF dhe Save the Children, e cila kishte për qëllim diskutimin rreth problematikave që fëmijët Rom hasin në gëzimin e të drejtës për arsim dhe vështirësitë në vijimësinë e shkollës.

Në fjalën e hapjes, Z. Hazizaj përfaqësues i Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri falenderoi të pjesëmarrësit për praninë e tyre në konferencë duke bërë që çështja e arsimit të fëmijëve Rom të bëhet kryefjala e angazhimit të përbashkët shoqëri civile-MAS.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Nikolla e pranishme në konferencë prezantoi disa nga drejtimet kryesore të punës të MAS në vijimësi, të cilat do të fokusohen në rritjen e numrit të fëmijëve romë në arsimin parashkollor dhe në klasat përgatitore, në arsimin bazë dhe atë të mesëm të lartë; në evidentimin dhe parandalimin e çdo qëndrimi përjashtues dhe inferioriteti ndaj fëmijëve romë në komunitetin shkollor dhe në transformimin e shumëllojshmërisë kulturore në një burim njohurish dhe atmosfere respekti reciprok, tolerant, gjithëpërfshirës dhe mirëkuptues; në zhvillimin e një kurrikule për mësimin e gjuhës dhe të kulturës rome në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar sepsedëshira dhe angazhimi  ynë lidhet me synimin që  çdo fëmijë rom të shkojë në shkollë, ta ndjekë me arritje të suksesshme dhe ta mbarojë atë brenda moshës”- u shpreh Znj.Nikolla.

Përfaqësuesja e UNICEF-Shqipëri Znj.Scolamiero e konsideroi organizimin e konferencës si momentin e duhur ku të gjithë bashkarisht të japim kontributin në garantimin e të drejtës për arsim cilësor për fëmijët Rom, në linjë me prioritetet strategjikë të Qeverisë në fushën e edukimit.

Znj. Meço, Drejtore e Save the Children, vuri në dukje përparimet që në dekadën e fundit janë vënë re në arsimimin e fëmijëve Rom, por theksoi se si pasojë e alokimit të kufizuar të burimeve njerëzore dhe financiare zbatimi  i strategjisë dhe planeve në ndihmë të komunitetit Rom  kanë hasur pengesa në realizimin e plotë të tyre. Sipas Znj. Meço: “….ajo që më së shumti nevojitet në gëzimin e të drejtës për arsim është koordinimi mes institucioneve shtetërorë dhe aktorëve të gjithë shoqërisë civile në mbarë vendin”.

Çështjet kryesore të trajtuara gjatë konferencës u diskutuan të ndara në tre tryeza diskutimesh, ndër të cilat përmendim: Rëndësia e edukimit dhe integrimit të fëmijëve Rom në arsim parashkollor; Arsimi I detyruar publik si një e drejtë themelore e patjetërsyeshme, Arsimi i mesëm i lartë dhe ai profesional për të rinjtë Rom.

Një ndërr arritjet e kësaj konference është dhe takimi i organizuar mes aktivistëve Rom me Ministren e Arsimit dhe Sportit dhe Znj. Hysi, ku për të parën here MAS – Përfaqësuesja e Kuvendit- Aktivistër Rom diskutuan mbi vështirësitë me të cilat komuniteti Rom përballet çdo ditë.

Gjetjet dhe rekomandimet e konferencës do të pasqyrohen në një plan të përbashkët veprimi, i cili do t’i bashkangjitet axhendës të MAS, për të bërë të mundur që reformat e ndërmarra në garantimin e e përfshirjes dhe integrimit të fëmijëve Rom në sistemin arsimor të jenë sa më të suksesshme dhe afatgjata.

Të pranishëm në konferencë ishin përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues të Institucioneve Ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, Donatorë, Organizata Ndërkombëtare, Organizata të Shoqërisë Civile si dhe të rinj Rom aktivistë të shoqërisë civile.

Për më tepër informacion ju ftojmë të na ndiqni në http://www.acce.crca.al/ dhe https://www.facebook.com/KoalicioniPerArsiminEFemijeveNeShqiperi

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us