SHQIPËRIA HAP PROCESIN PËR ÇMIMIN KOMBËTAR “MËSUESI I VITIT”

Tiranë, 15 Maj 2017 – Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmjëve organizuan sot konferencën për shtyp për çeljen publikisht të procesit për Çmimin Kombëtar ‘Mësuesi i Vitit’.

Çmimi Kombëtar “Mësuesi i Vitit” synon të evidentojë dhe vlerësojë në rang kombëtar mësuesit  për kontributin që japin në mësimdhënie, që ndihmojnë fëmijët në mirëarsimimin e tyre, që përdorin teknika innovatore gjatë shpjegimit të lëndës së tyre, që mbrojnë dhe avokojnë për garantimin e një arsimi cilësor gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët në mbarë vendin.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla, Ministre vlerësoi figurën e mësuesit si figurë kyçe jo vetëm në shkollë për të siguruar arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës por edhe figurë qëndrore e shoqërisë. Ajo shprehu kënaqësinë që edhe Shqipëria eshtë pjesë e nismës, duke theksuar se MAS do të mbështesë nismën që standartet e çmimit të jenë më të mirat dhe për të inkurajuar mësuesit për tu bërë pjesë e garës.

Në emër të Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve ndau me të pranishmit kriteret e përzgjedhjes së mësuesve fitues, kritere këto të njësuara me kriteret e Fondacionit Varkey, mbi të cilat  një juri e përbërë nga figura të shquara publike do të vlerësojnë mësuesit. Kriteret kanë të bëjnë me arritjen e rezultateve të të nxënit në klasë, përdorimin e praktikave mësimore inovative, aftësimi i fëmijëve për tu bërë qytetarë globalë, inkurajimi i mësuesve për të qëndruar në profesion, etj.

Në Çmimin Kombëtar “Mësuesi i Vitit” ftohen të marrin pjesë të gjithë  mësuesit e arsimit parauniversitar publik edhe privat në Republikën e Shqipërisë. Pesë do të jenë kategoritë kryesore të vlerësimit: Mësuesi i Vitit në Mësimdhënie; Mësuesi i Vitit  Avokues për të Drejtën për Arsim; Mësuesi i Vitit në Inovacion; Mësuesi i Vitit si Kontribues në Arritjet Akademike të Shkollës; Mësuesi i Vitit në Arsim Parashkollor.

Në datën 19 Maj 2017 në faqen www.acce.al do të jetë aktive aplikimi online. Thirrja për nominime do të shpërndahet gjerësisht nëpërmjet medias, rrjeteve sociale, faqes së internetit të Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve dhe kanaleve tradicionale të komunikimit. Çdo mësues,  staf shkolle në rang kombëtar mund të marrë pjesë në nominim, duke e shoqëruar atë me një biografi dhe kontribut të punës së mësuesit të përzgjedhur ose të vetes, letrave të referencës (që mund të jenë të shkruara nga një ngrup nxënësish/prindërish/mësuesish/drejtues shkolle), realizimit të një video prezantuese.

Juria do të vlerësojë të gjitha kandidaturat, nga të cilat do të përzgjedhin 20 mësuesit më të mirë.  Profilet e mësuesve do të bëhen publike në faqen zyrtare të Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri. Në muajin Tetor do të lançohen fituesit dhe do të jepen çmimet në një Aktivitet të madh publik.

Mësuesit fitues do ti jepet mundësia të marrë pjesë dhe të garojë me mësues nga e gjithë bota në Çmimin Botëror për Mësuesin (Global Teacher Prize). Çmimi Botëror për Mësuesin, i cili është vlerësuar nga media si Çmimi “Nobel në Mësimdhënie”,  është një inisiativë e ndërmarrë nga Fondacioni Varkey, i cili vlerëson profesionin e mësuesit si dhe zbulon me mijëra histori të mësuesve të cilët kanë dhënë një kontribut në transformimin e jetëve të fëmijëve dhe të rinjve.

Konferenca u ndoq nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, përfaqësues të Sindikatës së Arsimit, Mësues, Organizata të Shoqërisë Civile, media, etj.

Për më tepër informacion kontaktoni në adresën: linda.pino@crca.al Tel +355676075400; web: www.acce.al

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us