Reagim publik mbi rastin e dhunës të ndodhur në shkollën“Luigj Gurakuqi”

LETËR  E HAPUR

Drejtuar:         Znj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Subjekti:         Reagim publik mbi rastin e dhunës të ndodhur në shkollën“Luigj Gurakuqi”

Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE) dhe organizatat partnere që punojnë për mbrojtjen e të drejtatve të fëmijëve, duan të sjellin në vëmendjen e tuaj, si edhe të mbarë opinionit publik çështjen e arsimimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e specializuara dhe përjetimeve të tyre negative që ndikojnë në mirërritjen dhe kujdesin që shteti duhet të tregojë ndaj tyre.

Gjatë ditëve të fundit, mediat raportuan gjerësisht dhunën dhe keqtrajtimin e rëndë që mësuesit e shkollës“Luigj Gurakuqi” ushtrojnë ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe që ndjekin arsimin e detyrueshëm në këtë shkollë të specializuar në Tiranë, e cila presupozohet që mbi të gjitha duhet të mbrojë dhe respektojë të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuar në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri.

Pas analizës së ngjarjes, ne pritëm që Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe DAR Tiranë, të shqyrtonin me vëmendjen e duhur dhe të analizonin arsyet se përse çdo vit kemi ngjarje të dhunës në shkollat e arsimit të specializuar dhe qendrat rezidenciale për fëmijë me aftësi të kufizuara ( në Durrës dhe Shkodër para një viti dhe në Tiranë para më shumë se një jave një jave).

Në bindjen tonë, kjo ndodh sepse institucionet e arsimit të specializuar nuk e njohin dhe për këtë arsye nuk e zbatojnë Ligjin për Arsimin Parauniversitar, ndërkohë që mungon monitorimi efektiv i zbatimit të ligjit. Rastet e dhunës së konstatuar në këto institucione tregojnë që ligji, i përgatitur në konsultim me organiztat e shoqërisë civile përfshirë edhe aktet nënligjore, nuk po gjejnë aspak zbatim në praktikë. 

Në ligjin 69/2012, thuhet se: “Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në institucionet arsimore të specializuara për ta është përgjithësisht e përkohshme. Përfshirja dhe integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në kopshtet dhe shkollat e zakonshme të arsimit bazë është parësore”. Megjithatë deri më sot asnjë metodologji nuk ështe hartuar nga institucionet përkatese se si do të bëhet ky transferim dhe si rrjedhojë nuk shihet asnjë lloj bashkëpunimi real midis shkollave speciale dhe atyre të zakonshme.

Në këtë kuadër, ne na lindin një sërë pyetjesh, nëse ballafaqojmë atë çfarë thuhet në Dispozitat Normative, neni 100, për shkollat e specializuara për nxënësit me aftesi të kufizuara dhe realitetit:

1. Mësuesit e shkollave të specializuara janë të diplomuar në arsimin special.

Sa mësues të tillë ka në shkollat tona të specializuara?

2. Shkollat e specializuara kanë punonjës të specializuar në aftësinë e kufizuar, që ofrojnë shërbime mbështetëse të specializuara (mjekë, punonjës të shërbimit psiko-social, terapistë), si dhe mësues ndihmës.

I kanë në organikën e tyre këta specialistë shkollat speciale? A i kanë marrë trajnimet e duhura dhe specifike stafet që punojnë në këto shkolla?

3. Nxënësit, që sipas gjykimit të komisionit të vlerësimit, kanë nevojë për trajtim të individualizuar, punojnë me e Planit  Edukativ Individual (PEI)  

A bëhet vlerësim i rregullt nga komisioni multidisiplinar për këtë grup nxënësish dhe a punohet në bashkëpunim me prindërit për ndërtimin e PEI të fëmijës?

4. Shkollat speciale, nën organizimin e DAR/ZA-ve, shërbejnë si qendër shkëmbimi përvoje për mësuesit e shkollave të zakonshme që punojnë me fëmijë me aftësi të kufizuara. 

Çfarë ndodh realisht me këto shkolla dhe pse nuk e kryejnë këtë funksion shkollat speciale?

Bazuar tek këto problematika të identifikuara ne do të donim që MASR jo vetëm të japë përgjigjet e duhura, por edhe opinoni i gjerë publik të kuptojë se, nëse në sistemin arsimor nuk zbatohet legjislacioni, asnjëherë nuk do të realizohet e drejta e çdo fëmijë me aftësi të kufizuara për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës. 

Në bindjen tonë, ka ardhur koha, që bazuar në parimet e ligjit për Arsimin Parauniversitar Publik, të fillojë reformimi i të gjithë shkollave të specializuara në vendin tonë, që jo vetëm të eliminohet çdo formë dhune dhe diskriminimi në to, por të siguruar një arsim cilësor për çdo fëmijë, pavarësisht aftësive të tij / saj.

Koalicioni i Arsimit në Shqipëri dhe organizatat partnere në këtë letër të hapur, janë të gatshme të bashkëpunojnë dhe ofrojnë për Ministrinë ekspertizën më të mirë në vend, për të bërë të mundur reformimin e plotë të këtij arsimi dhe kthimin e shkollave speciale në Qendra profesionale Burimore për të gjithë systemin arsimor në Shqipëri.

Kjo është një ftesë e hapur që të ulemi së bashku dhe të hartojmë një plan veprimi, me qëllim që fëmijëve të familjeve në nevojë, nxënësve me aftësi të kufizuara dhe atyre me vështirësi në të nxënë, tu ofrohet përkujdesje e posaçme sipas përcaktimeve në Ligj.

Kjo letër e hapur, mbështetet nga:

1.     Koalicioni për Arsimin në Shqipëri;

2.     Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA);

3.     Save the Children Albania;

4.     Ndihmoni Jetën;

5.     Mbrojtja e të Drjetave të Personave me Aftësi të Kufizuar (MEDPAK);

6.     Down Syndrome Albania;

7.     Caritas Shqiptar;

8.     Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën (SHKEJ)

9.     ADRA-Albania;

10.  La Casa nel Cuore;

11.  FondacionI Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara;

12.  Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët (ALO 116)

13.  Partnerë për Fëmijët

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us