Qeveria të mbajë premtimin për rritjen e buxhetit për arsimin!

Ndërsa Qeveria Shqiptare ka 6 vjet që premton se do të rrisë investimet në arsim me 5% të GDP-së, analiza e financave publike tregon se Shqipëria mbetet ndër vendet e fundit në rajon dhe në Europë për financimin e arsimit!

Tiranë, 17 Shtator 2018 – Sot mbi 500 mijë fëmijë nisin vitin e ri shkollor në arsimin parauniversitar publik në vend. Por në këtë ditë jo të gjithë fëmijët që duhet të jenë në bangat e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, janë ulur në to! Rreth 7000 fëmijë anembanë vendit nuk do të jenë sot në shkollë!

Mungesa e investimeve publike në arsim dhe shpenzimet e pakta të Qeverisë për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë, vijojnë ende të lenë pa arsim një pjesë jo të vogël të fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri!

Ndonëse Qeveria Shqiptare prej tashmë 6 vjetësh premton rritjen e buxhetit për arsimin deri në 5 përqind të GDP-së, në të vërtetë buxheti i shtetit për arsimin zë vetëm 3 përqind. Kjo mungesë e investimeve për arsimimin e fëmijëve dhe të të rinjve, e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit në Europë për rezultatet dhe arritjet e nxënësve, krahasuar me vendet e OECD.

Një numër i lartë i institucioneve shkollore nuk ofrojnë shërbimet e domosdoshme për fëmijët. Thuajse 50 përqind e shkollave në vend, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, nuk kanë ujë të pijshëm dhe rreth 70 përqind e këtyre institucioneve arsimore nuk kanë kushte higjene të përshtatshme për arsimimin e fëmijëve.

Nën ndikimin dhe avokimin disa-vjeçar të ACE, viti shkollor 2018-2019 shënoi, për herë të parë, risinë e pajisjes së rreth 190 mijë fëmijëve të klasave 1-4 me tekste shkollore falas. Por, nxënësit e arsimit bazë dhe të mesëm, nga klasa e 5 në klasën e 12, do të vazhdojnë të paguajnë për tekstet shkollore. Edhe pse nisma është vlerësuar, sërish mbetet e paqartë cilësia me të cilën janë prodhuar tekstet shkollore dhe sa e mundur është ruajtja e mirëmbajtja e tyre nga ana e të gjithë nxënësve përfitues.

Një realitet i ndryshëm paraqitet në arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe profesional. Të gjithë nxënësit rom, egjiptianë dhe me aftësi të kufizuara që ndjekin gjimnazet dhe shkollat e mesme profesionale, nuk marrin tekste shkollore falas, pavarësisht se një pjesë e tyre jetojnë nën minimumin jetik të varfërisë. Mospajisja me tekste falas për të gjithë këta nxënës ndikon drejtpërsëdrejti në rënien e nivelit të ndjekjes së shkollës, braktisjes së saj apo edhe favorizimit të martesave të hershme për vajzat, duke detyruar shumë prej tyre të bien pre e shfrytëzimit, punësimit të hershëm, kriminalitetit, lypjes apo trafikimit.

Thuajse 64% e fëmijëve më aftësi të kufizuar mbeten ende jashtë sistemit arsimor parauniversitar dhe vetëm 35% e shkollave në Shqipëri janë të aksesueshme nga këta fëmijë. Edhe pse ky vit shkollor e gjen arsimin publik parauniversitar me një numër të dyfishuar të mësuesve ndihmës, pjesa më e madhe e fëmijëve nuk do të përfitojnë nga kjo masë mbështetëse. Për më tepër as Ministria dhe as Qeveria Shqiptare nuk kanë një kuadër rregullator që do të bënte të mundur matjen e arritjeve arsimore dhe përfitimin e dijeve për fëmijët me aftësi të kufizuar.

Arsimimi i fëmijëve Romë dhe Egjyptianë mbetet ende një problem si për shtetin shqiptar ashtu edhe fuqizimin e të dyja komuniteteve. Të dhënat zyrtare tregojnë jo pa shqetësim se vajzat Rome vazhdojnë të braktisin shkollën në një masë shumë herë më të lartë sesa vajzat e tjera, ndërkohë që 38.6 % e fëmijëve Rom dhe egjyptian nuk e ndjekin arsimin e detyrueshëm.

Një ndër problemet madhore të arsimit parauniversitar në Shqipëri, ndonëse është një fenomen i denoncuar si nga organizatat ashtu edhe nga mediat, mbetet dhuna dhe bulizmi në shkollë. Të dhënat e raporteve serioze tregojnë se rreth 41% e nxënësve janë viktima të dhunës fizike dhe psikologjike, ndërsa 22 përqind e tyre ndjehen të kërcënuar nga mësuesit. Thuajse 20 përqind e nxënësve janë viktima të bulizmit ndërsa 50 përqind e nxënësve janë dëshmitarë të diskriminimit të nxënësve në shkollën e tyre.

Në ditë-nisjen e vitit arsimor 2018-2019 në Shqipëri, Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE) kërkon sa më poshtë:

  • Qeveria Shqiptare të mbajë premtimin e saj për të rritur buxhetin e arsimit tëë paktën në 5 përqind të GDP-së duke filluar nga viti 2019;
  • Në buxhetin për arsimin (vjetor dhe afatmesëm), Qeveria Shqiptare duhet të përfshijë zëra të veçantë buxhetorë të dedikuar për mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe për Shkollat qendër komunitare në të gjithë vendin.
  • Ministria e Arsimit duhet të garantojë tekstet shkollore falas për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara, rom dhe egjiptianë, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar publik (klasa 1- 12);
  • Komisioni për Arsimin në Kuvendin e Shqipërisë dhe Grupi Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” duhet të organizojnë seanca të hapura dëgjimore me fëmijë, prindër, organizatat joqeveritare dhe sindikatat e arsimit, për të mbështetur rritjen e buxhetit të arsimit në Shqipëri;
  • Ministria e Arsimit duhet të adresojë urgjentisht problemin e dhunës, bulizmit dhe diskriminimit në shkolla. Në këtë kuadër përgatitja dhe miratimi brenda vitit 2018 e Planit Kombëtar për Eleminimin e Dhunës dhe Bulzimit në shkollë duhet parë me tepër prioritet;
  • Ministria e Arsimit duhet të hapë dhe të mbështesë me prioritet programin kombëtar “Shkolla të Sigurta dhe pa Dhunë” dhe në çdo institucion arsimor duhet të ngrihet një Komision për Parandalimin e Dhunës, i cili ka për qëllim të verifikojë, shqyrtojë dhe trajtojë çdo rast të ushtrimit të dhunës apo bulizmit në shkolla;

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us