ACE: Ligji për arsimin parauniversitar duhet t’i jap fund dhunës në institucionet arsimore

Ndryshimet e propozuara nga Koalicioni për Arsimin në ligj, kërkojnë t’i kthejnë shkollat në mjedise miqësore dhe të sigurta për fëmijët

Tiranë, 18 Korrrik, 2018 – Koalicioni Për Arsimin në Shqipëri (ACE), kërkoi sot në seancën degjimore të Komisionit Parlamentar për Arsimin të Kuvendit të Shqipërisë, përmirësim të mëtejshëm të ndryshimeve që po i bëhen ligjit për sistemin arsimor parauniversitar në vend. Propozimet janë bërë nga Ministria e Arsimit në konsultim edhe me shoqërinë civile.

Sot në mëngjes, përfaqësuesit e ACE, ishin të pranishëm në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, për të prezantuar rekomandimet e Koalicionit të cilat kanë në fokus ndalimin dhe eleminimin e të gjitha formave të dhunës dhe kthimin e institucioneve arsimore në vende të sigurta dhe miqësore për fëmijët.

Në kuadër të diskutimeve të ndërmarra nga Komisioni Parlamentar mbi Projektligjin “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, ndër të tjera ACE rekomandoi që “Komisioni i Etikës dhe Sjelljes në Institucionin Arsimor”, të transformohet tërësisht dhe të quhet “Komisioni për Parandalimin e Dhunës dhe zbatimin e Rregullores në Institucionin Arsimor”.

ACE propozoi që “Në çdo institucion arsimor të ngrihet Komisioni për Parandalimin e Dhunës dhe zbatimin e Rregullores në Institucionin Arsimor i cili ka për qëllim të verifikojë, shqyrtojë dhe marrë masa për çdo rast të ushtrimit të dhunës në institucionin arsimor. Komisioni i cili duhet të përbëhet nga 2 mësues, 2 Prindër anëtarë të Këshillit të Prindërve në institucionin arsimor dhe psikologu/psikologia e institucionit ndër të tjera merr në shqyrtim ankesat e nxënësve, të prindërve e të punonjësve të institucionit ndaj shkeljeve të normave të etikës dhe të sjelljes. Për rastet e dhunës në familje, kur viktima janë fëmijët, njoftohet menjëhere Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve më e afërt me institucionin arsimor.”

Gjithashtu Koalicioni propozoi që  çdo institucion arsimor (public apo privat) të marrë masa që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të kenë miratuar një Rregullore për Parandalimin dhe Eleminimin e Dhunës në Shkollë, përfshi edhe masat që do të zbatohen për trajtimin e rasteve të dhunës, kur ato ndodhin.

Një fokus të veçantë në rekomandimet e ACE për këtë projektligj mori edhe ngritja e Shërbimit Kombëtar Psiko-Social në Shkollë, si një njësi autonome brenda kuadrit të shërbimeve të Ministrisë dhe në bashkëpunim me Agjensinë Kombëtare të Mbrojtjes së Fëmijëve, Administratën e Përgjithshme të Shërbimit Social dhe shërbimet sociale në pushtetin vendor. Përbërja dhe funksionimi i Shërbimit Kombëtar Psiko-Social në Shkolla duhet të caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në përfundim të diskutimeve që u zhvilluan në këtë seancë degjimore, një nga shqetësimet që përfshiu ACE në rekomandimet e saj, ishte edhe procedura e pranimit dhe largimit nga puna të mësuesve, si dhe përfshirja e psikologëve apo punonjësit socialë në Komisionin e Vlerësimit të kandidaturave të mësuesve.

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us