Cmimi Kombetar “Mesuesi i Vitit”

ÇMIMI KOMBËTAR

“MËSUESI I VITIT NË SHQIPËRI”

MATERIAL INFORMUES

Mësuesi është një busull që ve në lëvizje magnetet e kuriozitetit, dijes dhe zgjuarsisë tek nxënësit.- Ever Garrison

Tiranë, Mars 2019

PËRSE NJË ÇMIM KOMBËTAR PËR MËSUESIT?

Në Shqipëri janë mbi 470,000 fëmijë që ndjekin arsimin parauniversitar dhe mbi 35,000 mësues që çdo ditë me përkushtim përçojnë dijet e tyre tek fëmijët anembanë vendit.

Mësuesi është një ndër figurat kryesore që luan një rol të pazëvendësueshëm në jetën e fëmijëve dhe të rinjve, sepse të jesh mësues është mision. Arsimimi i gjeneratave të tëra të qytetarëve sjell zhvillim dhe ndryshim. Profesioni i mësuesit është një profesion human. Çdo prind i beson arsimin dhe edukimin e fëmijës së tij mësuesve.

Në gjithë këtë periudhë të gjatë tranzicioni pak është bërë në lidhje me vlerësimin e mësuesve që kanë arritje të dukshme në arsimimin e femijëve. Media vizive dhe ajo e shkruar më së shumti trajtojnë episode jo të hijshme që ndodhin në mjediset shkollore, ndërkohë që ka me mijëra mësues, që pavarësisht vështirësive, sfidave, terrenit, me profesionalizëm ushtrojnë profesionin e tyre dhe përçojnë dijet te fëmijët. Krahas dijeve shkencore mësuesit edukojnë fëmijët edhe me vlerat e qytetarisë dhe të respektit të të drejtave të njeriut, të cilat kanë një vlerë të jashtëzakonshme në ndërtimin e marrëdhënieve gjatë gjithë jetës, duke formuar individë me potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar vendin.

Studime të ndryshme në fushën e mësimdhënies vlerësojnë së tepërmi rolin që mësuesi luan në jetën e nxënësve. Sipas studimit të UNESCO “Të mendosh për Arsimin! Drejt një të Mire të përbashkët globale?” mësuesit konsiderohen si aktorët kyç në aftësimin e fëmijëve që prej fëmijërisë së hershme e përgjatë trajektoreve të procesit të të nxënit, sepse është ai që i nxit apo edhe zbeh këto aftësi.

Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri (ACCE), një rrjet me pjesmarrjen e gjerë të organizatave të shoqërisë civile dhe sindikatave të Arsimit, beson se figura e mësuesit duhet të vlerësohet sa më publikisht nga të gjitha institucionet, komuniteti, shoqëria dhe më gjerë, për kontributin që ata japin çdo ditë në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve në mbarë vendin.  

Për të realizuar këtë Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri në bashkëpunim me Varkey Foundation, do të organizojnë për herë të parë në Shqipëri Çmimin Kombëtar “Mësuesi i Vitit në Shqipëri”.

ÇMIMI I MËSUESVE NË NIVEL KOMBËTAR DHE GLOBAL

Pjesëmarrja e Shqipërisë në vlerësime ndërkombëtare për nivelin e të të nxënit dhe arritjeve të nxënësve si PISA, apo dhe publikimi i raportit vjetor i OECD “Arsimimi në një vështrim” tregojnë se niveli i arritjeve të nxënësve dhe performanca e tyre lidhet ngushtë me investimet që çdo vend bën në arsim dhe në mënyrë të veçantë në rekrutimin e mësuesve më profesionalë dhe vlerësimin e figurës së tyre.

Të gjithë ne kemi pasur një mësues që na ka frymëzuar gjatë viteve të shkollës dhe që na pasur ndikim gjatë gjithë jetës sonë.

Mësuesit kanë fuqinë të ngjallin pasionin  për një lëndë ose fushë studimi, pasion që zgjat gjatë gjithë jetës, ndërsa një mësimdhënie monotone zbeh çdo dëshirë për të mësuar. Mësuesit që kanë treguar se kanë çdo aftësi për të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në jetën e nxënësve meritojnë që të ndihen të vlerësuar.   

Çmimi Kombëtar “Mësuesi i vitit” këtë do të synojë: “ Të evidentojë dhe vlerësojë në rang kombëtar mësuesit  për kontributin që japin në mësimdhënie, që ndihmojnë femijët në mirëarsimimin e tyre, që përdorin teknika innovatore gjatë shpjegimit të lëndës së tyre, që mbrojnë dhe avokojnë për garantimin e një arsimi cilësor gjithëpërfshirës për të gjithë femijët në mbarë vendin”.

Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve dhe CRCA Shqipëri, ju bashkuan nismës së Fondacionit Varkey për të organizuar, për herë të parë në vend, Çmimin Kombëtar për Mësuesin në Shqipëri, fituesi i të cilit do të bëhet pjesë e finalistëve të Çmimit Botëror për Mësuesin, aktivitet ky që organizohet çdo vit nga Fondacioni Varkey.

KUSH ËSHTË FONDACIONI VARKEY

Fondacioni Varkey është një organizatë jofitimprurëse, e cila ka si synim kryesor përmirësimin e standardeve të arsimit për fëmijët e paprivilegjuar në mbarë botën. Misioni i Varkey është garantimi i mundësisë që çdo fëmijë të arsimohet nga mësues cilësor dhe e realizon këtë me anë të ngritjes së kapaciteteve të mësuesve, organizimit të fushatave avokuese për të promovuar arsimin cilësor, përsosmërinë e proçesit të mësimdhënies si edhe hartimit të politikave arsimore cilësore dhe gjithëpërfshirëse.

Për të bërë të mundur vlerësimin e profesionit të mësimdhënies, në Mars 2014 gjatë Forumit Botëror të Arsimit dhe Aftësive, Fondacioni lançoi Çmimin Global për Mësuesit, si një vlerësim për arsimitarët që japin një kontribut të vyer në profesionin e mësimdhënies. Ky çmim është dhënë deri tani tre herë.

ÇMIMI GLOBAL PËR MËSUESIT (GLOBAL TEACHER PRIZE)

Çmimi Global për Mësuesit, i cili është vlerësuar nga media si Çmimi “Nobel në Mësimdhënie”,  është një iniciativë e ndërmarrë nga Fondacioni Varkey, i cili vlerëson profesionin e mësuesit si dhe zbulon me mijëra histori të mësuesve të cilët kanë dhënë një kontribut në transformimin e jetëve të fëmijëve dhe të rinjve. Çmimi shpreh mirënjohjen ndaj punës që bëjnë miliona mësues anembanë globit. Çmimi jepet çdo vit nën patronazhin e Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, zv.President i Emirateve të Bashkuara Arabe, Kryeministër dhe Emir i Dubait. Çmimi Global për Mësuesin është një çmim prej $1 million USD, i cili i jepet një mësuesi që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në profesionin e tij.

Fitues ndër vite: 2015- Nancie Atëell USA, çmimi i shpallur nga Presidenti Amerikan, Bill Clinton; 2016- Hanan Al Hroub, , Palestine, çmim i shpallur nga Papa Françesku; 2018- Maggie MacDonnell,-Kanada, çmim i shpallur me lidhje satelitore në hapësirë me Agjensinë e Hapësirës Europiane.

Që prej viti 2015 e deri më sot, mbi 100 shtete në mbarë Botën i janë bashkuar nismës së Varkey Foundation, duke organizuar në vendet e tyre Cmimin Kombëtar për Mësuesit, fituesi i të cilit më pas gëzon të drejtë për të marrë pjesë në Çmimin Global për Mësuesin.

SYNIMET E ÇMIMIT KOMBËTAR “MËSUESI I VITIT”

Çmimi Kombëtar “Mësuesi i vitit”synon:

  • Të vendosë në qendër të vëmendjes së institucioneve e publikut rëndësinë dhe vlerësimin për profesionin e mësuesve;
  • Të ndajë eksperiencat më të mira me mësuesit e tjerë në mësimdhënie, innovacion, arritje akademike, etj;
  • Të shërbejë si shembull për mësuesit dhe studentët e rinj që ta duan dhe t’i përkushtohen profesionit të tyre;
  • Të nxjerrë në pah vlerat e mësuesve tanë;
  • T’i japë mundësinë prindërve, komunitetit dhe mbarë shoqërisë të shprehin publikisht mirënjohjen dhe vlerësimin e tyre për të gjithë mësuesit;
  • T’i ofrojë mundësinë mësuesit fitues të marrë pjesë në vlerësimin e Global Teacher Prize që organizohet çdo vit nga Varkey Foundation.

KUSH MUND TË MARR PJESË?

Të gjithë mësuesit që japin mësim në arsimin parauniversitar publik edhe privat në Republikën e Shqipërisë mund të marrin pjesë në  Çmimi Kombëtar “Mësuesi i vitit”.

SI DHE KUR DO TË REALIZOHET ÇMIMI?

Çmimi Kombëtar “Mësuesi i vitit” do të hapet zyrtarisht në një konferencë për shtyp, më pas një thirrje e hapur për nominime të mësuesve që kanë dhënë një kontribut në fushën e mësimdhënies si në arsimin parauniveresitar publik ashtu edhe privat do të ndahet përmes faqes së internetit të Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri, rrjeteve sociale si edhe të gjitha mënyrave të tjera tradicionale të komunikimit;

Çdo mësuses, staf shkolle në rang kombëtar mund të marrë pjesë në nominim, duke e shoqëruar atë me një biografi dhe kontribut të punës së mësuesit të përzgjedhur ose të vetes, letrave të referencës, realizimit të një video prezantuese etj.

Pesë do të jenë kategoritë kryesore të vlerësimit;

  • Mësuesi i Vitit në Mësimdhënie;
  • Mësuesi i Vitit  Avokues për të Drejtën për Arsim;
  • Mësuesi i Vitit në Inovacion;
  • Mësuesi i Vitit si Kontribues në Arritjet Akademike të Shkollës;
  • Mësuesi i Vitit në Arsim Parashkollor.

KUSH E JEP ÇMIMIN NË SHQIPËRI?

Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri dhe CRCA ju bashkuan nismës së Fondacionit Varkey për të organizuar edhe në vendin tonë Çmimin Kombëtar për Mësuesin, fituesi i të cilit do të garojë në Çmimin Botëror për Mësuesin, evenimentin më të madh në Botë i cili ngre lart dhe vlerëson figurën dhe misionin e mësuesve.

Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri, (ACCE) është një rrjet jo-formal, i themeluar në vitin 2004 me qëllim kryesor avokimin për të garantuar të drejtën universale të fëmijëve për arsimim publik, cilësor dhe gjithëpërfshirës. Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri, është anëtar i Fushatës Botërore për Arsimin si dhe organizator i aktivitetit të përvitshëm Java Botërore e Arsimit , “Edukim për të Gjithë”.

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA është një nga organizatat kryesore jo-qeveritare, jo-politike, jo-fetare dhe jo-fitimprurese me qendër në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. CRCA është krijuar në mars të vitit 1997 me qëllimin kryesor për të ndihmuar në përmirësimin e situatës të të drejtave të fëmijëve në Shqiperi. Gjatë viteve të punës së saj CRCA është bërë një ndër partnerët serioze të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Shoqërisë Civile.

Që kjo nismë të arijë synimet e përcaktuara nevojitet që të mbështetet nga shumë aktorë. Investimi në arsim cilësor dhe në kualifikim të vazhdueshëm është baza për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm sepse investimi në edukim dhe arsim është investim në ekonominë dhe mirëqenien e vendit. Ndaj, Koalicioni për Arsimin e Femijëve dhe CRCA-Shqipëri nëpërmjet organizimit të Çmimit Kombëtar “Mësuesi i vitit” fton çdo kompani biznesi që në kuadër të Përgjegjshmërisë Sociale të Biznesit të bëhet pjesë e nismës sonë.

KUR DO TË JEPET ÇMIMI NË SHQIPËRI?

Gjatë muajit Maj do të organizohet Konferenca për Shtyp, e cila do të prezantojë publikisht nismën Çmimi Kombëtar “Mësuesi i vitit”. Një thirrje për nominime do të shpërndahet gjerësisht nëpërmjet medias dhe kanaleve tradicionale të komunikimit.

Gjatë muajit Qershor do të mblidhen nominimet, të ndara sipas kategorive të sipërpërmendura. Për të bërë të mundur përzgjedhjen dhe vlerësimin e kandidaturave do të ngrihet një Juri e përbërë nga figura të shquara të botës akademike, figura publike, gazetarë etj, të cilët gjatë periudhës Korrik-Shtator, pas vlerësimit, do të përzgjedhin 20 mësuesit më të mirë.  Profilet e mësuesve do të bëhen publike në faqen zyrtare të Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri. Një forum i hapur me pjesëmarrjen e mësuesve të përzgjedhur do të organizohet gjatë periudhës Shtator-Tetor. Në 5 Tetor 2019 në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Mësuesit, në një aktivitet të madh publik Juria do të shpallë mësuesit fitues të Çmimit Kombëtar “Mësuesi i vitit”.

KRITERET E VLERËSIMIT

Çdo mësuses, staf shkolle në rang kombëtar mund të marrë pjesë në nominim, duke e shoqëruar atë me një biografi dhe kontribut të punës së mësuesit të përzgjedhur ose të vetes, letrave të referencës, realizimit të një video prezantuese etj.

Për të mundësuar vlerësimin e kandidaturave do të ngrihet një Juri e përbërë nga figura të shquara të botës akademike, figura publike, gazetarë etj, pas vlerësimit, do të përzgjedhin 20 mësuesit më të mirë.

Pesë do të jenë kategoritë kryesore të vlerësimit;

  • Mësuesi i Vitit në Mësimdhënie;
  • Mësuesi i Vitit  Avokues për të Drejtën për Arsim;
  • Mësuesi i Vitit në Inovacion;
  • Mësuesi i Vitit si Kontribues në Arritjet Akademike të Shkollës;
  • Mësuesi i Vitit në Arsim Parashkollor.

Disa nga kriteret mbi të cilat Juria do të bëjë vlerësimin e kandidaturave të unifikuara me kriteret e vlerësimit të Varkey Foundation janë:

  • Arritja e rezultateve të të nxënit të demonstrueshme në klasë. Për shembull, nëpërmjet përmirësimit të notave të nxënësve, ndjekjes / sjelljes së nxënësve; duke ndihmuar nxënësit në rritjen, shfaqjen e potencialit të tyre etj.
  • Njohja e arritjeve të një mësuesi në klasë dhe më gjerë nga nxënësit, kolegët, drejtuesit e shkollës ose anëtarët e komunitetit e më gjerë. Për shembull, nëpërmjet çmimeve të dhëna nga autoritetet përkatëse, Mësues të njohje si në shtypin lokal / kombëtar ose që kanë shkruar publikime akademike; Anëtarësi aktive në një organizate jo qeveritare që nxit avancimin e të drejtave të fëmijëve.
  • Përdorimi i praktikave mësimore inovative dhe efektive që janë të riprodhueshme dhe që  ndikojnë në cilësinë e arsimit. Për shembull, nëpërmjet përdorimit të teknologjisë inovative ose teknikave jo-tipike mësimore që mund të përdoren edhe në klasa/shkolla të tjera.
  • Aftësimi i fëmijëve për t’u bërë qytetarë globalë, duke ju ofruar atyre një arsimim të bazuar tek vlerat, i cili i pajis ata me aftësi për jetën, i bën të aftë për punë dhe i përgatit për një botë, ku do të takohen me njerëz nga përkatësi të ndryshme fetare, kulturore apo kombësi të ndryshme.
  • Inkurajimi i mësuesve për të qëndruar në profesion, duke zhvilluar aftësitë e tyre si dhe për të inkurajuar mësues të tjerë që të bashkohen me ta në profesionin e mësimdhënies.

KONTAKTET PËR MEDIAT

WEB: http://www.acce.al/

e-mail: linda.pino@crca.al

tel: +355676075400

KONTAKTET PËR MËSUESIT, NXËNËSIT DHE PRINDËRIT

WEB: http://www.acce.al/

e-mail: linda.pino@crca.al

tel: +355676075400

Sponsors

Follow us on facebook

Contact us